Blog

UNESCO në Shqipëri: Pasuritë e kulturës shqiptare që mbrohen në botë

Posted on 6 April 2023

Kultura shqiptare përfaqëson një pasuri të papërshkrueshme për shqiptarët, vendin dhe rajonin. Pjesë të saj kanë një rëndësi të veçantë, ato janë pjesë e rëndësishme e trashëgimisë botërore dhe paraqesin dëshmi të mënyrës së jetesës së qytetërimit me vlera të jashtëzakonshme. Për këtë arsye, është e rëndësishme që të mos humbin, por të ruhen dhe të mirëmbahen, dija për to të trashëgohet, në mënyrë që brezat e të ardhmes të mund të kuptojnë dhe të vlerësojnë kulturën, të trashëgojnë me krenari identitetin e tyre, të përmirësohen dhe të frymëzohen nga këto modele të qyetërimit. Për të mundësuar që kjo kulturë të mos zhduket, UNESCO ka bërë pjesë në listat e veta të trashëgimisë botërore, deri më tani, tetë pasuri shqiptare.

Çfarë është UNESCO?

Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, terrori dhe përçarja kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën botërore. Për të siguruar paqen, mirëkuptimin dhe qëndrueshmërinë në botë, në 1945 u themelua Organizata për Arsimimin, Shkencën dhe Kulturën e Kombeve të Bashkuara. Misioni i UNESCO-s është të kontribuojë në ndërtimin e kulturës së paqes, çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe dialogut ndërkulturor.

Photo 3

Pas përfundimit të luftës së dytë botërore, terrori dhe përçarja kishin lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën botërore. Për të siguruar paqen, mirëkuptimin dhe qëndrueshmërinë në botë, në 1945 u themelua Organizata për Arsimimin, Shkencën dhe Kulturën e Kombeve të Bashkuara. Misioni i UNESCO-s është të kontribuojë në ndërtimin e kulturës së paqes, çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe dialogut ndërkulturor.

Shqipëria në Listën e Trashëgimisë Botërore

Butrinti

Po, ky është Butrinti i “Natës së dymbëdhjetë”, apo njohur ndryshe, një nga vendodhjet e parapëlqyera të pushimit për aristokracinë Greko-romake të antikitetit. Ndodhet 25 km larg qytetit të Sarandës dhe shtrihet nga brigjet e detit Jon të fushëgropës së Delvinës. Për ndërlidhjen e peizazheve shumëllojshe natyrore me mbetjet dhe artefaktet e vyera antike të kulturës greko-romake, Butrinti gëzon statusin e një emri të artë në historinë e arkeologjisë shqiptare, pjesa historike është pjesë e UNESCO-s prej 1992, kurse liqeni i Butrintit është Zonë Veçanërisht e Mbrojtur, sipas Konventës së Barcelonës 1995. Madje këtu mund të shihni edhe blloqe të mëdha me mbishkrime pellazge. Vëzhgimi i pikave historike dhe shijimi i bukurive natyrore, janë pa dyshim aktiviteti parësor dhe më i rëndësishëm kur vizitoni Butrintin. Butrinti është dëshmia historike e vazhdimësisë së kulturave që kanë prekur zonën, prej periudhës greke deri në mesjetë.

Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës

Berati dhe Gjirokastra janë vendbanime të hershme të jugut të Shqipërisë dhe qendrat e tyre historike të fortifikuara, me arkitekturën e shtëpive të ndërtuara njëra mbi tjetrën të stilit ottoman, ndikuar nga kultura antike, por edhe për shkak se janë banuar e vazhdojnë të banohen, mbartin vlera të jashtëzakonshme. Berati njihet për kalanë shekullore, lagjet e tij historike, Mangalemin e Goricën, urën e gurtë dhe Osumin e kaltër që i ndan. Gjirokastra nga ana tjetër njihet si qyteti i gurtë, me çatitë e pjerrëta gri, rrugët e kalldrëmta dhe panoramën e jashtëzakonshme të shtëpive karakteristike dykatëshe, pazarin e vet historik dhe bukurinë e peizazhit. Këto qendra historike janë të veshura me bukuri të rrallë dhe vlera të çmuara.

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit është një nga liqenet më të vjetër në Evropë dhe në botë. Vjetërsia e tij përllogaritet mes 4 deri në 10 milionë vite i vjetër dhe është me origjinë tektonike. Ujërat e gjelbërta janë shtëpi e mbi 200 specieve endemike. Që në krye të kohërave, liqeni ka shërbyer si burim jete, rreth tij janë zhvilluar komunitete, qytetërime dhe sot shtrihen dy shtete moderne. Ky është liqeni më i thellë në Ballkan. Liqeni ofron pamje spektakolare dhe në Pogradec shfrytëzohet si plazh. Mund të kaloni pushimet e verës, të shkoni për të kaluar një ditë të qetë, për të shijuar kuzhinën fantstike të zonës, për të peshkuar, apo për të vozitur me barkë në liqen.

Lumi i Gashit dhe Rrajca

Dy thesare të natyrës shqiptare janë pjesë e një pasurie të ndarë mes tetëmbëdhjetë vendeve të Evropës. Lumi i Gashit dhe Rrajca janë në listën e UNESCO-s si pjesë e pyjeve të ahut të lashtë e të qëmotshëm të Karpateve dhe rajoneve të tjera të Evropës. Rrajca përfaqëson një ekosistem unik natyror pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, thuajse e paprekur, me peizazhe të jashtëzoknshme dhe një biodiversitet të rrallë. Këtu mund të gjendet edhe rrëqebulli ballkanik. Lumi i Gashit nga ana tjetër, gjendet në veri të vendit, pranë Valbonës. Një pjesë e madhe e zonës rreth tij është e mbuluar me pyjet e ahut. Zona ofron pamje spektakolare, ku peizazhi malor kombinohet me ujërat e ftohta kristal, gjelbërimin e pemëve etj.

Shqipëria në Listën e Trashëgimisë Jomateriale

Iso-polifonia Shqiptare

Iso-polifonia shqiptare është shpallur nga UNESCO si pasuri gojore dhe shpirtërore e botës. Kjo mënyrë e të kënduarit që mendohet se është trashëguar që nga antikiteti, ka teknikë të veçantë dhe është një mjeshtëri e rrallë. Iso-polifonia e ka shoqëruar njeriun shqiptar në histori në momentet e veta më të gëzuara e më të trishtuara, duke qenë se shohim se ajo këndohet në rastë pikëllimi, por edhe në rasë gëzimi. Mendohet dhe pranohet se atdheu i vërtetë i iso-polifonisë shqiptare është jugu, por forma të saj gjejmë edhe në veri. Ata që e dëgjojnë shprehen se kjo mënyrë të kënduari ta ngre zemrën peshë e të mbush me emocione të pazakonta. Bukurtingëllimi, vështirësia teknike dhe historia e pasur, e bëjnë këngën iso-polifonike monumentale.

Xhubleta, dijebërja dhe përdorimi

Ka shumë gojëdhëna në lidhje me origjinën, formën dhe arsyet pse xhubleta na paraqitet në të tillë formë. Diçka është e sigurt, xhubleta vjen prej antikitetit dhe është pasaporta e shqipërisë në lëmin e kostumografisë etnike. Ky kostum i pazakontë, e merr emrin nga forma, tashmë emblematike, e rrudhur prej kambane e fundit të veshjes. Të tjerë mendojnë se rrudhjet e fundit të punuar me rripa shajaku janë nderim për rrudhjet e Bjeshkëve. Me një tërësi dekoracioni delikat dhe origjinal, xhubleta kombinon ngjyrat me simbole të hershme dekorative që mund të gjurmohen pas në kohë tek iliriët, madje edhe në kulturën kreto-mikenase. Mirëpo xhubleta është e rëndësishme si dëshmi e vazhdimësisë së një kulture të hershme antike, por edhe për dijebërjen e përdorimin e saj, kulturë e cila fatkeqësisht është drejt rrezikut të humbjes. Si elementi më i vonë kulturor shqiptar i përfshirë në UNESCO, xhubleta është në vëmendjen e të gjithë autoritieteve për tu ruajtur si dëshmi e mënyrës së jetesës dhe shoqëruese mijëvjeçare e grave malësore.

Shqipëria në Koleksionin e Kujtesës së Botës

Kodiku i Purpurt i Beratit

Kodikët e purpurt të Beratit (njohur si Kodiku i Purpurt i Beratit) janë dy ungjinj të gjetur në Berat që i përkasin grupit të shtatë kodikëve të purpurt që mbijetojnë sot në botë. Beratinus 1 i përket shekullit të gjashtë dhe përfaqëson një nga katër arketipet më të vjetra të Dhjatës së Re, me rëndësi të madhe pë të kuptuar zhvillimin e literaturës bibilike dhe liturgjike në botë. Beratinus 2 i përket shekullit të nëntë. Të dy kodikët janë një pasuri e çmuar që sot, pas restaurimit dhe replikimit për arsye studimore dhe kulturore, ruhen në Arkivin Kombëtar të Shqipërisë.