Blog

Elvis and Doret Kotherja – “Të jetosh ëndrrën tënde”

Posted on 15 May 2023

P1: A ka qenë një ide e përbashkët krijimi i Elite Travel Group?

Doreti: (me një buzëqeshje në fytyrë) Për këtë le të flasë Visi, si më i vogël.

Elvisi: Po, kështu ka qenë. Në atë kohë Redi jetonte në Tiranë. Kishim një biznes modest, i cili nuk shkoi si duhet. Në një moment të caktuar vendosëm të themelonim agjencinë. Bëmë një analizë të shpejtë të tregut, kuptuam se nuk kishte shumë biznese të tilla për kohën. Në fillim nisëm me prerjen e biletave të avionëve dhe trageteve.

Doreti: Më pas erdhi edhe siguracioni i makinave.

Elvisi: Po, kurse më pas, rreth periudhës 2000-2001 filluan udhëtimet e para për shqiptarët që lëviznin në rajon, kryesisht në Malin e Zi.

P2: Ndalemi pak tek analiza që thatë se i bëtë tregut. A solli kjo analizë në specializimin e agjencisë në fushën e turizmit, apo e paramenduar?

Elvisi: Ishte një dëshirë paraprake. Por edhe analiza na tregoi se kishte goxha boshllëqe në treg për kohën.

Doreti: Duke parë që kishte mundësi për të punuar në turizëm, në atë kohë vetëm biletaritë, e konsideruam këtë mundësi. Për më tepër, duke qenë bashkë e provuam. Unë kisha edhe një eksperiencë të mëparshme në këtë fushë. Nuk duhet të harrojmë se patëm mundësinë të gjenim një vend edhe për biletarinë, shumë problem i madh në fillimet tona. Atëhere na kanë ndihmuar të gjithë, të njohurit e prindërve, miqtë e të njohurit tanë. Ne donim të ishim përparimtarë.

Elvisi: Mund ta themi me plot gojë, kishim eksperiencë.

Doreti: Unë vija me dy vite eksperiencë nga kjo fushë.

P3: Më kuriozoi ajo që thatë, se në fillim ju ndihmuan njerëzit që njihnit, të njohurit e prindërve. Mund të flasim pak më shumë për këtë?

Doreti: Në atë kohë Elbasani kishte vetëm dy agjenci të tjera dhe ishte e vështirë. Na kanë ndihmuar miq, të afërm, fqinjët, të gjithë na ndihmuan të ecim përpara.

P4: Mendoni se kjo tregon diçka për ju? Një sipërmarrje e tillë për kohën, mund të quhet sfidë, një rrisk.

Elvisi dhe Doreti: Emri i mirë i familjes na ka ndihmuar shumë.

Doreti: Në atë kohë ka qenë 60-70% e gjithë punës sonë.

P5: A është e vështirë të ngresh një biznes me vëllain? Sa vëllezër jeni në zyrë? (Në kuptimin e ndikimit të lidhjes së tyre në punë)

Doreti: Po, për mua është e vështirë. Ne vijmë me mendime dhe bindje të ndryshme. Në raste të caktuara, unë mund të jem më i vështirë për tu bindur. Visi mund të ketë një ide më të qartë.

Elvisi: Është e vështirë, por jo shumë e vështirë. Thjesht duhet të kesh të qartë që secili duhet të marrë prioritetet e veta. Nuk jemi vëllezër në punë, thjeshtë kolegë. Nuk na ndikon.

P6: Kujt i pëlqen të marrë më shumë rrisqe përsipër?

Doreti: (buzëqesh dhe zgjat dorën nga Elvisi) Ja tek e ke.

P7: Si i punësuat njerëzit e parë të Elite Travel Group? Si ndiheni kur kolegë të shumë viteve vendosin ta ndërpresin udhëtimin e tyre në Elite Travel Group?

Elvisi: Njerëzit vinin me referencë.

Doreti: Sot është ndryshe. Sot, ne trajnojmë ekipe pune, të rinj dhe jo vetëm dhe i japim mundësinë të kalojnë fazat e rekrutimit.

Elvisi: Ne e ngritëm gjithçka pa një strukturë.

Doreti: Sepse edhe nuk kishte. Për sa i përket largimit të kolegëve, natyrisht që nuk na vjen mirë, por gjithsekush ka në fokus jetën dhe prioritetet e veta.

Elvisi: Dhe diçka tjetër. Jo të gjithë e kuptojnë vizionin tonë. Shpeshherë kjo bëhet arsye.

P8: Pse vizioni është elementi më i rëndësishëm i Elite Travel Group. Cili ishte vizioni kur e themeluat?

Elvisi: Vizioni na tregon ku duhet të shkojmë. Qëllimi ynë ishte që gjithçka të kishte një lidhje të natyrshme dhe funksionale. Nga furnitorët tek klientët të kishte një lidhje. Hallkat të funksiononin. Gjërat duhet të ndodhin lehtshëm. Vetëm komunikimi mund ta bëjë të rrjedhshëm këtë bashkëpunim dhe teknologjia na shërben si mjeti për ta finalizuar.

P9: A jeni hasur me paragjykime, me punonjës që e kanë parë me dyshim çfarë ofroni?

Doreti: Pa dyshim, njerëzit kanë arsye të ndryshme. Për shumicën paratë janë gjithçka. Të tjerat kuptojini vetë.

Elvisi: Kjo është njëra anë e monedhës. Mendoj se për sa i përket kësaj çështjeje, një rol të rëndësishëm luan fakti se nuk ka një shkollë të fortë për atë që ne bëjmë. Ne i marrim njerëzit që fillimisht t’i mësojmë. Pasi ato futen ne Elite Travel Group, janë në gjendje të gjykojnë më ndryshe. Ne u tregojmë të gjithëve se ç’duam të bëjmë dhe ç’mundësi kanë ata për të ardhmen. Nuk duam të largojmë askënd, por kur është e nevojshme largimi është i përhershëm. Mënyra jonë e punës është unike.

Ne duam që në të ardhmen të kemi krijuar një mjedis pune pa stres. Ky është qëllim i rëndësishëm.

P10: Cila është vlera që ju doni të përfaqësoni?

Elvisi: Besoj biem dakord që për ne integriteti është vlera më e rëndësishme.

P11: Cilat janë dy momentet kryesore gjatë historisë së Elite Travel Group, ato që ju kanë shenjuar?

Doreti: Pandemia për mua ka qenë një histori suksesi, ndonëse sfida më e madhe. I mbajtëm të gjithë punonjësit në punë. Pati nga ata që u larguan, por jo prej nesh. Mësuam, reflektuam.

Elvisi: Pandemia na çorientoi. Kuptuam që jo të gjithë e vlerësuan mënyrën tonë të menaxhimit. Kjo na rriti. Nëse flasim për një moment të mirë, viti 2018 kur zbatuam teknologjinë e re ishte një moment lehtësimi, munda të marr frymë lirisht.

P12: Më bën përshtypje që jeni të ndryshëm, në komunikim, qëndrim e shumë të tjera? Reflektohet kjo edhe në punë?

Doreti: Kjo është arsyeja pse ne nuk punojmë në një zyrë. Secili prej nesh është i mirë në atë që di të bëjë më mirë. Është e drejtë të thuash se ne plotësojmë njëri-tjetrin, pa dashur të tingëlojmë klishe.

P13: Kujt i përket Elite Travel Group?

Elvisi: Elite Travel Group është aset social.

Doreti: Ka CEO që në një moment heqin dorë nga drejtimi i plotë i kompanive. Vjen një moment që ajo që ne krijojmë do ta tejkalojë qëllimin tonë.

P14: Qasja juaj ndaj të rinjve është e veçantë? Flasim pak për këtë.

Elvisi: Nuk do të ketë kompani në të ardhmen që nuk do zhvillojë menaxhimin e talenteve. Për ne të rinjtë janë frymëzim.

Doreti: Ne e kuptojmë se të rinjtë kanë të ardhme. Çdo gjë që ndodh bëhet për to.

Elvisi: Mund të them se ky është edhe një tjetër reflektim i vizionit tonë. Ne nuk duam që të rinjtë të vuajnë për një vend pune. Ne sigurojmë edukimin dhe punësimin.

P15: Në hyrje të godinës, ka një shenjë që thotë se për të punuar këtu duhet një buzëqeshje dhe respektim për kolegët.

Doreti: Të dy ne kemi punuar kamerierë kur kemi qenë të rinj. Kemi kuptuar se mund të jesh më i zoti në atë që bën, por nëse nuk je social dhe i aftë për të komunikuar, mbetesh në vend numëro. Një buzëqeshje e falur qoftë edhe në rrugë, jashtë zyrës, ndikon tek puna, ndonëse shumë nuk e kuptojmë. Kam ende klientë dhe njerëz të njohur që nga koha kur punoja para njëzet e pesë vitesh kamerier.

Elvisi: Do të tregohem i sinqertë. Ishte e nevojshme. Është kulturë e kompanisë. Këtu puna bëhet në grup. Në këtë prizëm, të qenit social është normë. Mua më bezdis një frymë toksike në mjedisin e punës. Ne nuk duam punonjës që thjeshtë të bien dakord me ne.

Doreti: Një oponencë me argumenta na bën mirë. Por gjatë gjithë kohës na duhet të kujtojmë dhe të zbatojmë vlerat tona njerëzore.

P16: Ç’mban e ardhmja?

Elvisi: Punë pa sezone. Shërbim gjatë gjithë vitit. Vende të reja pune. Ne duam të punësojmë të rinj, të bëhemi ndërkombëtarë. Nuk jemi kurrë aty ku duhet. Puna jonë nuk ka orar. Gjithmonë mund të bëhet më mirë. Një vlerë e jona është qëndrueshmëria. Ne kemi kuptuar problemet. Tani po bëjmë çmos të edukojmë, të krijojmë baza. Duam të krijojmë një sistem drejtimi shumë të mirë.

P17: Cila është gjurma juaj?

Doreti: Ne duam të vazhdojmë gjallërimin e qytetit, t’i japim punë të gjithëve. Duam që njerëzit të vazhdojnë të habiten kur marin vesh se ne jemi të vendosur në Elbasan.

Elvisi: Ne kemi krijuar një mjedis pa stres, të qëndrueshëm.

P18: E jetoni ju ëndrrën tuaj çdo ditë?

Elvisi: Çdo ditë, pa diskutim. E dua atë që bëj.

Doreti: Në çdo moment.