Blog /Java e Turizmit Religjioz

Posted on 21 Feb 2023

Java e Turizmit Religjioz

“Ne në Elite Travel Group e shohim gjithmonë me përparësi kulturën dhe përhapjen e saj tek të rinjtë dhe të huajt. Të certifikuar Travelife në lidhje me qëndrueshmërinë, besojmë se turizmi fetar është një element i rëndësishëm i kulturës sonë që përçon vlerën dhe traditën e bashkëjetesës fetare në Shqipëri. Të interesuar gjithashtu për të krijuar produkte të reja kulturore, ku pa dyshim feja ka nje peshë specifike dhe mjaft të rëndësishme, ndihmojmë edhe në zbutjen e sezonalitetit. Ne besojmë se duhet t’i ndihmojmë të rinjtë të informohen mbi vlerat fetare, të investohen duke studiuar dhe hulumtuar, duke nxjerrë në dukje vlerat e turizmit fetar.  I gjithë ky proces, i ndihmon ta kthejnë punën e tyre  në pasion, të mbledhin informacione dhe dije cilesore, si dhe të krijojnë mundësi aplikimi të asaj çka kanë studiuar në punësim për një të ardhme të qëndrueshme.”

 – Elvis Kotherja, Managing Director ELITE TRAVEL GROUP

Java e Turizmit Religjioz dhe Elite Travel Group si partner:

Java e Turizmit Religjioz (JTR) është një nismë e Forumit të Turizmit Religjioz të Kolegjit Universitar Logos (KUL). Elite Travel Group, ngahera ka qenë mbështetëse e nismave dhe kauzave që i shërbejnë komunitetit dhe qëndrushmërisë. Duke e parë turizmin religjioz si një aspekt të rëndësishëm të turizmit të qëndrueshëm ne kemi vendosur ta mbështesim këtë nismë në disa mënyra. Ne e shohim këtë si një mundësi të artë për të integruar vlerat e muslimanizmit, ortodoksisë, katolicizmit dhe bektashizmit në një kulturë të përhershme shqiptare.

Turizmi religjioz si pjesë e qëndrueshmërisë:

Turizmi religjioz është një subjekt i shkëlqyer për tu shndërruar në një sferë të përhershme të qëndrueshmërisë. Kulturalisht ai ndihmon në kërkimin e njerëzve për besim, njohje dhe kuptim. Ekonomikisht, turizmi religjioz ndihmon në ndërtimin e ekonomive lokale të komuniteteve dhe shërben si një mbledhës i mirë i njerëzve. Nga ana mjedisore, ky lloj turizmi evokon respekt dhe përkujdesje ndaj objekteve me rëndësi fetare dhe natyrore që janë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë. Në këtë botëkuptim, ne e shohim turizmin religjioz si një investim të padiskutueshëm në të mirë të Shqipërisë. Vetë koncepti i bashkëjetesës fetare mbi të cilin mbështetet, shërben si një nxitës ogurmirë për zhvillimin dhe përmirësimin e tij. Duke u përpjekur për një turizëm religjioz tërësisht të qëndrueshëm, ne mbrojmë dhe pasurojmë kulturën dhe traditën tonë.

Si ndihmojmë ne:

Mbështesim nismën

Duke mbështetur nismën e JTR-së ne sigurohemi për zhvillimin dhe përparimin e elementëve të qëndrueshmërisë në Shqipëri.

Mbështesim studentët

Elite Travel Group do të ofrojë disa bursa studimi në programin e Turizmit Religjios pranë KUL. Në këtë mënyrë ne lëmë gjurmë dhe thjeshtëzojmë rrugëtimin e studentëve, duke ushqyer komunitetin me vlera dhe profesionistë.

Mbështetemi tek entitetet fetare

Në përfundim të eventit do t’i besojmë entiteteve fetare disa detyra. Së pari entitetet fetare duhet të inventarizojnë gjithë objektet me vlerë historike, kulturore, shpirtërore në lëmin fetar. Duhet të ndërlidhin punën e tyre me materiale shkencore, botime, përmbajtje të shkruar dhe pamore, mirëmbajten e tyre sa më bashkëkohore, dhe manaxhimin e tyre nga profesionistët e rinj. Së dyti, ato duhet të ndërgjegjësojnë në masë shoqërinë, veçanërisht të rinjtë rreth rëndësisë, vlerave, mundësive dhe përmbushjes shpirtërore që ofron turizmi religjioz.

Jemi mirënjohës për Prof. Dr. Georgios Gaitanos, i cili lekton pranë KUL dhe është kujdesur personalisht për përfshirje e zotit Elvis Kotherja dhe Elite Travel Group në Javën e Turizmit Religjioz.