Rr. "Kozma Naska", Nr:33/6,
Elbasan 3001, Albania
Rr. "e Atjonit
Tirane, Albania
Turizmi Shqiptar: Drejt Një të Ardhme të Qëndrueshme
Posted on 30 December 2024
Bazuar në intervistën me Elvis Kotherja, CEO i Elite Travel Group dhe Kryetar i Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes pranë AmCham
Turizmi po merr një zhvillim të madh vitet e fundit dhe po konsiderohet si një nga sektorët prioritarë. Në opinionin tuaj, si përfaqësues i biznesit në këtë sektor, por dhe i Komitetit të Turizmit, qëndron kjo konsideratë? Mundet turizmi të bëhet një forcë tërheqëse për ekonominë shqiptare?
Së pari, dua të falënderoj nga zemra gjithë stafin ekzekutiv për mbështetjen e pandërprerë që i është ofruar Komitetit të Turizmit dhe Mikpritjes. Pa këtë mbështetje, nuk do të kishim arritur këto rezultate, të cilat, në fund të këtij dyvjeçari, do të jenë themeli për vijimin e punës sonë në këtë sektor në vitet që vijnë. Është fakt që turizmi mbetet i vetmi sektor i ekonomisë shqiptare që vijon të mbajë një trend rritës, pavarësisht sfidave të shumta.
Disa nga këto sfida përfshijnë kursin e këmbimit, i cili ndikon negativisht në të ardhurat e sektorit, dhe mungesën e theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Megjithatë, është inkurajuese të shohësh një vullnet të qartë nga të gjithë aktorët—duke filluar nga institucionet politike, qeveria dhe sektori privat.
Lajmi më i mirë i këtyre viteve të fundit është që tashmë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka një vizion të qartë për të ardhmen. Ajo ka marrë angazhimin dhe lidershipin për krijimin e një drafti final të strategjisë së zhvillimit të turizmit, në të cilin kemi kontribuar edhe ne.
Kjo është padyshim një shenjë pozitive për të gjithë industrinë. Për herë të parë, kemi një plan zhvillimi strategjik ku procesi i hartimit ka qenë tepër produktiv, duke përfshirë një gamë të gjerë aktorësh vendas dhe të huaj, si institucione publike dhe private. Si rezultat, kemi një tablo të qartë për të ardhmen e sektorit në vitet që vijnë. Gjithsesi, vetëm një strategji e shkruar nuk mjafton. Kërkohet gjithashtu një vullnet i fortë politik për zbatimin e saj, bazuar në faturën financiare që e shoqëron.
Në fund të fundit, bizneset në Shqipëri konsiderojnë prioritarë ata sektorë ku mbështetja financiare nga qeveria është evidente. Për çdo 1 milion euro të investuar nga qeveria, biznesi është i gatshëm të investojë të paktën 7 herë më shumë.
Turizmi ka potencialin të shndërrohet në një forcë të fuqishme për ekonominë shqiptare. Synimi ynë është të zhvillojmë një turizëm gjithëvjetor—turizmi që mbështet ekonominë, krijon punësim të vazhdueshëm dhe ndikon pozitivisht në sektorë të tjerë ekonomikë. Gjithashtu, turizmi gjithëvjetor kontribuon në përmbushjen e aspekteve sociale dhe ekonomike të turizmit të qëndrueshëm.
Shqipëria po hyn në hartën e vendeve atraktive për tu vizituar. Për të mos e humbur këtë interes çfarë duhet të kenë në konsideratë politikbërësit? Po bizneset e sektorit?
Po, është shumë e vërtetë që kjo është një mundësi e artë, e cila nuk duhet humbur. Ajo që politika duhet të ketë në konsideratë është e thjeshtë: të implementojë strategjinë e turizmit duke e mbështetur financiarisht dhe të vazhdojë me qasjen dhe vullnetin pozitiv që ka treguar deri tani ndaj sektorit privat. Është jetike që zhvillimi të bashkërendohet në çdo fazë, duke përfshirë gjithashtu trajnimin dhe edukimin profesional—pa të cilin kjo industri nuk ka të ardhme.
Nga ana tjetër, bizneset kanë një përgjegjësi po aq të rëndësishme. Ato duhet të bëjnë kujdes me shërbimin dhe me çmimet. Nuk duhet parë rritja e kërkesës si një mundësi për abuzim, por si një mundësi për të krijuar një burim të ardhurash të qëndrueshme për vitet që vijnë.
Dixhitalizimi është një tjetër element jetik që do ta ndihmojë industrinë të bëhet më efikase, më e shpejtë dhe më e saktë. Investimet në dixhitalizim duhet të jenë prioritet për bizneset, jo vetëm në implementimin e sistemeve të reja, por edhe në aftësimin e stafit për t’i përdorur ato në mënyrë të efektshme.
Së fundmi, trajnimi dhe edukimi profesional mbeten shtylla të pazëvendësueshme për suksesin e turizmit.
Alokimi i fondeve në këtë fushë është jetik. Bizneset private nuk duhet të presin gjithmonë nga institucionet publike, por duhet të gjejnë zgjidhje të shpejta për të përmirësuar cilësinë e shërbimit.Pa buzëqeshje, pa etikë dhe pa mirësjellje nga çdo punonjës i industrisë, nuk mund të kemi klientë që rikthehen. Dhe pa klientë që rikthehen, nuk mund të ndërtojmë një turizëm të qëndrueshëm.
Në vitin 2025, nuk duhet të themi faleminderit vetëm kur shërbejmë, por duhet të mësojmë të themi të gjithë, pavarësisht nëse dimë apo jo anglisht: “You are welcome—jeni të mirëseardhur.”
Si qëndron Shqipëria në raport me vëndet e tjera të Adriatikut? Mundemi ne të bëhemi konkurrentë të fortë? Cfarë duhet bërë për ta fituar këtë kompeticion?
Në këtë fazë ku ndodhemi, është e natyrshme që Shqipëria të jetë e pozicionuar në fund të listës krahasuar me vendet e Mesdheut. Kjo është një situatë e pritshme, duke marrë parasysh se industria jonë e turizmit ka një moshë relativisht të re.
Sidoqoftë, ajo që na pengon më shumë nuk është mungesa e përvojës, por mungesa e një strukture të mirëfilltë organizative, qoftë në politikëbërje, ashtu edhe në mënyrën se si bizneset menaxhojnë këtë industri.
Në fund të fundit, turizmi nuk është thjesht një sektor më vete; ai është administrim biznesi. Vetëm 20% e kësaj industrie lidhet direkt me turizmin si koncept, ndërsa 80% është njësoj si çdo industri tjetër, si prodhimi apo sektorët e tjerë të ekonomisë. Kjo duhet kuptuar qartë dhe me përgjegjësi nga të gjithë aktorët e përfshirë.
Shqipëria ka fatin dhe mundësinë për të ndërtuar një identitet të ri turistik, bazuar në traditat dhe kulturën tonë unike. Kjo është edhe pika kyçe që reflektohet në strategjinë tonë kombëtare. Nga ana tjetër, në këtë fazë të hershme të zhvillimit, ne duhet të konkurrojmë me çmimin. Kjo strategji është e domosdoshme derisa të arrijmë maturimin në cilësinë e shërbimit dhe të krijojmë një markë autentike, e cila do të na diferencojë dhe do të na japë avantazhin e qëndrueshmërisë.
Synimi është që një klient të mos vijë thjesht në Shqipëri, por të zgjedhë një destinacion specifik brenda saj. Një destinacion ku ai preferon një njësi akomoduese të veçantë, ku dëshiron të shërbehet nga Arbeni, të shijojë gatimet e Dritës, të provojë verën e një kantine në zonën e Fishtës dhe të marrë pjesë në aktivitete ku shoqëruesi Armandi dhe shoferi Artani janë gjithmonë të buzëqeshur dhe socialë.
Ne duhet të vazhdojmë të konkurrojmë me atë që tashmë na njohin: Mikpritjen tonë dhe buzëqeshjen që e kemi nga Zoti. Por, kjo duhet të kombinohet me profesionalizmin e fituar vitet e fundit dhe me përditësimin e vazhdueshëm të njohurive tona në këtë industri, që kërkon zhvillim të përhershëm dhe arsimim profesional.
Kjo është rruga jonë drejt një turizmi të qëndrueshëm, të suksesshëm dhe të diferencuar, i cili do të vendosë Shqipërinë në hartën e destinacioneve më të kërkuara në botë.
Burimi: https://amcham.com.al/newsletter-nr-17-english-shqip/
Follow Us