Rr. "Kozma Naska", Nr:33/6,
Elbasan 3001, Albania
Rr. "e Atjonit
Tirane, Albania
Një histori suksesi PYTHON
Posted on 15 May 2023
E kemi përmendur shpeshherë se një nga qëllimet tona më të mëdha është mbështetja dhe gjetja e mënyrave për të përmirësuar sistemin arsimor dhe për të siguruar një edukim më të mirë për nxënësit tanë. Pas iniciativës sonë How to Teach Python (2021-2022), me mbështetjen e Python Software Foundation siguruam një grand për të zhvilluar një tjetër projekt me vlerë.
Në janar të 2023 filluam trajnimin How to Teach Python to Students (Si tu mësojmë gjuhën e programimit Python nxënësve). 24 mësues nga shkollat nëntë vjeçare të qytetit u trajnuan për tre muaj pranë ambienteve të Elite Academy, për të përftuar kompetenca të rëndësishme në aftësinë e mësimdhënies së gjuhës së programimit Python.
Në 90 minutat e çdo seance, njohuritë dhe ndërveprimi, gërshetuar me teknikat e të nxënit më mirë, ndërtuan një aftësi të re së bashku, nga fillimi.
Duke i paraprirë Strategjisë Kombëtare të vitit 2030 për përfshirjen e Python në programet mësimore që në klasë të gjashtë, ne besojmë se kemi bërë një punë të mirë. Kemi ndihmuar aktorët më të rëndësishëm, nxënësit, duke ndihmuar mësuesit e tyre.
1. Aftësimin dhe kualifikimin e plotë të mësuesve të drejtimit TIK (Teknologji Informacioni dhe Komunikimi) në njohjen dhe mësimdhënien e Python
2.Ngritjen e nivelit të mësimdhënies së mësuesve të drejtimit TIK të qytetit
3.Qëllimi i tretë i projektit është paksa më i gjerë për tu sintetizuar në një fjali. Ne jemi besimplotë se duke u ardhur në ndihmë mësuesve, nëpërmjet trajnimeve, kualifikimeve, qasjeve të reja mbi mësimdhënien, nuk ndihmojmë vetëm ata si njerëz dhe profesionistë, por punojmë për një qëllim më largpamës. Gjithçka ne bëjmë është për të rinjtë dhe ky trajnim lindi për të krijuar një mjedis të sigurt në të ardhmen, për nxënësit të kuptojnë se qyteti i tyre priret nga talenti dhe aftësia, se ka mësues që mund të kultivojnë dhe ushqejnë talentin e tyre për t’i ndihmuar të ndërtojnë një të ardhme të shkëlqyer.
Python dominon sot në botë, si gjuha më e përhapur e programimit, përdorur gjerësisht për krijimin e faqeve ueb dhe një sërë strukturash të tjera më të ndërlikuara. Duke menduar se profesionet e së ardhmes janë gjerësisht të drejtuara në degët e teknologjisë, e ndjemë mese të natyrshme lindjen dhe rëndësinë e këtij trajnimi.
Kur u pyetën se sa të sigurt ndiheshin në mësimdhënien e gjuhëve të programimit para trajnimit, 42,9% e mësuesve zgjodhën 2 nga një shkallë vlerësimi 1-5, kurse 57,1% e tyre zgjodhën 5 pas përfundimit të trajnimit. Për ne, është e rëndësishme që të mësuesit përveç vlerave, të kenë gjithashtu një panoramë të qartë të mundësive dhe potencialit brenda vetes që i lejon të jenë profesionistë më të mirë. 71% e mësuesve u shprehën se atyre u duhej 5 nga 5 ky kurs. Ky është një tregues i qartë se trajnimi e ka arritur qëllimin e tij. Gjithashtu, ne kuptojmë se mësuesit, si profesionistë që ndikojnë në formimin e tyre, nuk duhet të rreshtin kurrë së mësuari. Vetëm kështu mund të edukojnë me shembull. Gjysma e tyre zgjodhën 2 në lidhje me njohuritë që zotëronin në Python para kursit, 57.1% zgjodhën 4 pas trajnimit.
Në fund të tre muajve, mësuesit u certifikuan.
Ne mbetemi përherë kërkues nga vetja dhe ndonëse ndihemi krenarë, kuptojmë se ka shumë për tu bërë. Punojmë fort për të paraprirë kohën.
Follow Us