COVID-19 UPDATED INFORMATION IN ALBANIA AND WESTERN BALKANS

Industria e Turizmit në Shqipëri gjatë 2019

Industria e turizmit ne Shqiperi

Industria e Turizmit në Shqipëri gjatë 2019

Turizmi padyshim është një nga sektorët kryesorë të ekonomisë botërore. Madje në shtete të caktuara, është një komponent jetësor i ekonmisë. Ka një mori avantazhesh që sjell turizmi për vende të ndryshme. Disa prej tyre janë të ardhurat, zhvillimet e infrastrukturës, krijimi i punëve të reja, si edhe shkëmbimi kulturor mes të huajve dhe shtetasve. Çdo vit World Travel & Tourism Council (WTTC) sjell raportin vjetor me të dhëna rreth ndikimit të këtij sektori në ekonominë globale, por edhe të të gjitha shteteve specifike.

Raporti global

Sipas WTTC, sektori i turizmit, ka patur një kontribut 10,3% në GDP totale. Gjithashtu, ka siguruar 330 milion të punësuar në nivel botëror. Për më tepër, rritja e industrisë së turizmit (3,5%) ka tejkaluar edhe rritjen e përgjithshme të ekonomisë botërore (2,5).

Raporti global WTTC
Raporti për Shqipërinë

Vendi ynë ka një pafundësi potencialesh turistike dhe gjithnjë e më tepër ka parë një fuqizim të këtij sektori. Sipas WTTC, shihet se turizmi ka patur një kontribut prej 358.3 miliard lekë, apo 21.2%, në ekonominë e përgjithshme shqiptare. Kjo tregon se rritja vjetore në GDP nga industria e turizmit është shumë më e lartë sesa rritja e përgjithshme ekonomike në Shqipëri. Ndikimi i kësaj industrie dallohet jo vetëm nga rritja ekonomike që i sjell vendit tonë, por edhe nga kontributi që ajo ka në punësim. Rreth 22,2% e të punësuarve në të gjithë Shqiprinë janë në sektorin e turizmit. Kjo do të thotë një numër të konsiderueshëm prej 254.300 vende pune.

Burimi kryesor i të ardhurave nga ky sektor vjen nga vizitorët ndërkombëtarë me një shumë prej 275.5 miliard lekë. Këto shpenzime nga vizitorët e huaj përbëjnë rreth 76% të totalit.

Pavarësisht shifrave mjaft të larta, Shqipëria ka ende hapësira për t’u zhvilluar, në mënyrë që të arrijë potencialin e saj të plotë. Faktorë si infrastruktura apo cilësia e shërbimeve kanë bërë që zhvillimi i turizmit të mos jetë shumë i qëndrueshëm në terma afat-gjatë. Gjithsesi, nuk mund të mohoet fakti që industria e turizmit në Shqipëri është dhe do vazhdojë të jetë një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomik në vend.